Lajmet e fundit
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga po merr pjesë në takimin e liderëve rajonal të procesit të Brdos i cili mbahet në Budvë.

E para e shtetit të Kosovës ka mbajtuar edhe një fjalim para liderëve rajonal ku ka vënë theksin te e ardhmja evropiane e Kosovës dhe bashkëpunimit rajonal.
Ndër të tjera Jahjaga ka përmendur sfidat ekonomike dhe punën e madhe që e pret Kosovën për plotësimin e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Konsensusi dhe përcaktimi ynë i përbashkët për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian nuk mund të mbetet vetëm deklarativ. Ky orientim ngërthen edhe përgjegjësi, veçmas të tilla që kërkojnë përmbajtje nga retorika dhe idetë që e ka stagnuar dhe izoluar këtë rajon për tri dekadat e fundit. Unë, si Presidentja e shtetit më të ri në rajon, dua të besoj fuqimisht që ky përcaktimi strategjik është i pa alternativë dhe që nuk do të devijojmë nga ky cak për shkak të politikave të së kaluarës dhe agjendave ideologjike dhe ditore”,tha Jahjaga në fjalimin e saj.
Jahjaga ka potencuar rrezikun nga terrorizmi global duke i dhënë një vëmendje të veçantë aspektit të sigurisë dhe bashkëpunimin rajonal në këtë fushë.
“Në aspektin e sigurisë, shtetet tona fatkeqësisht nuk kanë mbetur të paprekura nga kërcënimet globale të terrorit, në veçanti nga ekstremizmi i dhunshëm. Në Kosovë ne po ballafaqohemi me këtë problem dhe vlerësoj se kemi vendosur një shembull të mirë për rajonin, duke dhënë kontribut konkret në luftimin e këtij kërcënimi dhe mbrojtur imazhin e rajonit të përkushtuar që të kontribuojë në sigurinë e të gjithëve” u shpreh Jahjaga.
Presidentja e Republikës së Kosovës, e vlerësoi rolin e dialogut Kosovë-Serbi në stabilizimin e mardhënieve në mes dy shteteve, duke thënë që rruga për në BE për të dyja vendet është e gjatë,transmeton Klan Kosova.