Lajmet e fundit

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook ka dënuar veprimet e sotme në Kuvend duke i cilësuar si akte të shëmtuara.
“I dënoj veprimet e papranueshme që shkaktuan ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës sot për të tretën javë me radhë.”
“Këto veprime të deputetëve të opozitës janë të shëmtuara dhe në kundërshtim me praktikën demokratike dhe sjelljen institucionale të cilën po mëtojmë ta ndërtojmë.”
E para e vendit më tej ka bërë apel për deputetët të distancohen nga dhuna dhe të shmangen tensionet e krizat ndër qytetarë.
“I ftoj deputetët e Kuvendit të Kosovës të distancohen nga dhuna, të respektojnë institucionet që janë ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, përfshirë me sakrificën e tyre personale. Mospajtimet konceptuale dhe politike duhet të diskutohen me forcën e argumentit dhe kulturës parlamentare.”
“Qytetarët e Kosovës presin nga ju, të zgjedhurit e tyre, si në pozitë dhe në opozitë, që të avanconi proceset e konsolidimit të Republikës së Kosovës, e jo t’i shndërroni ata në spektatorë të tensioneve, krizave dhe bllokadave të vazhdueshme që pengojnë përparimin e Kosovës dhe rrezikojnë mirëqenien e qytetarit,” përfundoi Jahjaga reagimin e saj në Facebook, transmeton Klan Kosova.