Lajmet e fundit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka takuar Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Z. Hoyt Yee.
Ata kanë diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe rajon.
Presidentja Jahjaga informoi Z. Yee se ajo ka referuar Parimet e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, pas konsultimeve me partitë politike, për të kërkuar interpretim të përputhshmërisë së Parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Kosovës.
Jahjaga ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve me fokus në implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara nën ndërmjetësimin e BE-së si kusht i përparimit drejt Bashkimit Evropian.
Kurse Yee ka thënë se dhuna në Kuvendin e Kosovës është e papranueshme dhe ka thirrur palët që të ofrojnë një zgjidhje për tejkalimin e kësaj situate.
Ai po ashtu ka thënë se ato skena e dëmtojnë procesin e integrimit të Kosovës, njofton zyra e Presidentes.
Ndërsa i ka dhënë përkrahje vendimit të Presidentes për referimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të siguruar përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës dhe për t'i dhënë kredibilitet rezultateve të dialogut, transmeton Klan Kosova.