Lajmet e fundit
Atifete Jahjaga: Kufijtë tanë nuk janë më gardhe të sigurta. Ne jemi të rrezikuar nga kërcënimet e njëjta, qofshin ato nga terrorizmi i brendshëm apo luftëtarët e lirisë, të joshur nga ISIS-I me ideologji të ndryshuara apo mjete financiare.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori sot pjesë në panelin "Adresimi i ekstremizmit të dhunshëm: përgjegjësia e përbashkët", që i zhvilloi punimet në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, që u mbajt në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë.
Në panel, së bashku me presidenten Jahjaga, morën pjesë: zëvendëspresidenti i Irakut, zotëri Ayad Allaëi, zëvendëskryeministri i Irakut, zotëri Saleh Muhammed Al Mutlaq, nënsekretarja e shtetit për sigurinë civile, demokraci dhe të drejtat e njeriut e SHBA-së, zonja Sarah Seëall, udhëheqësi i një kompanie danezo-kuvajtiane, zotëri Mohammad Jaafar dhe një përfaqësues i shoqërisë civile në Jordani.
Në panel u diskutua për sfidat globale të sigurisë, ekstremizmin dhe radikalizmin si kërcënim për sigurinë, si dhe angazhimin e përbashkët në luftimin e këtyre dukurive.
Presidentja Jahjaga në panel foli për angazhimin e Kosovës në adresimin e këtyre dukurive dhe nevojën e gjithëpërfshirjes në luftën kundër ekstremizmit dhe në garantimin e sigurisë globale.
Jahjaga ka thënë se mundja e “sulmit global mbi paqen” ose e dhunës dhe terrorit të cilin po e shohim sot në mbarë botën, ka nevojë për një qasje globale të ndërtuar mbi siguri, diplomaci, zhvillim dhe lidership moral. Këtë duhet ta arrijmë duke filluar punën që nga shtëpitë tona.
Në vendet tona, ne duhet të zotohemi që ta forcojmë legjitimitetin e shtetit. Dhe legjitimiteti arrihet me performancë. Ne jo që duhet ta dyfishojmë, por edhe ta trefishojmë angazhimin tonë që t’i hapim rrugë inovimit dhe zhvillimit duke larguar pengesat strukturore dhe praktike të cilat i frikësojnë investuesit.
Shteti duhet të jetë prezent. Institucionet shtetërore duhet të jenë të dukshme nëpërmes sigurimit të infrastrukturës, energjisë, burimeve të ujit, menaxhimit të mbeturinave, shëndetësisë, edukimit dhe, natyrisht, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.