Lajmet e fundit

Presidentja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomik Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, ka nisur sot në disa komuna të Kosovës, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe përkrahjes së investimeve të huaja në vendin tonë.
E para e shtetit me këtë rastt ka theksuar se ka vendosur që së bashku me këto dy oda të nxis një dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe investimet e huaja.
"Është tashmë e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të ligjit dhe konkurrencë të barabartë".
"Vizita ime së bashku me Odat ekonomike ka për qëllim adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë, në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në Kosovë".
"Gjatë tërë mandatit tim e kam adresuar zhvillimin ekonomik në mënyra të ndryshme, prej komunikimeve të drejtpërdrejta me investitorë të huaj e deri te inicimi i partneriteteve strategjike. Megjithatë, na duhet t’i adresojmë me urgjencë edhe problemet në nivelin komunal sepse pa i tejkaluar këto sfida është e vështirë të sjellim investitorë në Kosovë" ka thënë ajo në një deklaratë për media para fillimit të vizitave.
Udhëheqësja kosovare ka shtuar më tutje se është e përkushtuar të kontribuoj deri në ditën e fundit të mandatit të saj për të krijuar një ambient të favorshëm për investime.
"Pikënisja është Rrafshi i Dukagjinit dhe unë besoj dhe shpresoj që deri në fund të muajit do t’i përmbyllim me vizita shumicën e komunave të Kosovës" ka potencuar ajo
Jahjaga do të vizitojë komunën e Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit dhe atë të Junikut, transmeton Klan Kosova.