Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, njofton Klan Kosova.
Më poshtë shkrimi i plotë:
Përshëndes ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, një hap i rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit, përmbushjes së obligimeve dhe përgjegjësive tona shtetërore dhe përcaktim i qartë në anën e drejtë të historisë. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje i hapë rrugë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës duke i dhënë fund izolimit të tyre.
Megjithatë, sot duhet të jetë edhe një ditë e reflektimit. Klasa politike e Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të menduar thellë për dëmin e shkaktuar nga tri vite veprimesh apologjetike dhe një politikë shkurtpamëse të interesave të ngushta politike. Rezultati është një diskreditim i pariparueshëm i reputacionit të institucioneve para qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fund, dua t'i falënderoj te rinjtë e Kosovës që me durim të pashoq e shpërthyen këtë izolim të padrejtë duke e sjellë vëmendjen e botës në Kosovë përmes inovacionit dhe kreativitetit të tyre. Tani është radha ta dëshmoni atë që tashmë e dimë - që Kosova do të jetë vlerë e shtuar për Bashkimin Evropian.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
AB
SHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.