Lajmet e fundit

Atifete Jahjaga, ish-presidentja e vendit e cilëson si shumë të rëndësishme ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës.
Ky është shkrimi në profilin e saj në Facebook, pas shenjtërimit të Nënë Terezës.
Çfarë dite e rëndësishme për shqiptarët dhe të gjithë njerëzimin!
Sot u bëmë dëshmitarë të shenjtërimit të Nënë Terezës- humanistes dhe misionares shqiptare, e cila hyri në zemrat tona me dashurinë e pakusht dhe kontributin e pareshtur të saj për njerëzit në nevojë.
Agnesë Gonxhe Bojaxhiu, të cilën e njohim si Nënë Tereza e Kalkutës, u bë zëri i atyre që nuk dëgjoheshin nga askush, u bë shtëpia të cilën ata nuk e kishin, dhe u bë një dritë shprese e cila ishte fikur për shumëkë.
Me çiltërsinë, dhembshurinë, dhe devotshmërinë e saj ajo, siç citohet nga bashkëpunëtorët e saj në misionet bamirëse, “bëri gjëra të zakonshme me dashuri të jashtëzakonshme”.
Në një nga intervistat e rralla të saja më 1995, fituesja e Çmimit Nobel për Paqe tha se “Unë jam çdo gjë. Çdo shtet që dua dhe jam një fëmijë i Zotit për të dashur njerëzit”.
Shenjtërimi i saj nga Papa Fraçesko vulos atë që e kemi ndjerë gjithmonë: Nënë Tereza është e shenjtë për të gjithë njerëzimin!