Lajmet e fundit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mirëpritur miratimin nga Qeveria e Kosovës të Projekt-rregullores për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Sipas Jahjagës, miratimi i kësaj Rregulloreje shënon një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të përkrahjes institucionale dhe realizimit të të drejtave të parapara me ligjet e vendit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke i hapur rrugë procesit të njohjes dhe verifikimit.
Presidentja ka shprehur vendosmërinë për të vazhduar mbështetjen institucionale dhe shoqërore për të trajtuar me dinjitetin e merituar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, viktimat civile të luftës të cilët sakrifikuan kaq shumë për vendin tonë, si të gjitha kategoritë e tjera të dala nga lufta, transmeton Klan Kosova.
Jahjaga ka shprehur bindjen që kjo vendosmëri do të përcjell edhe hapat e mbetur drejt përmbushjes së plotë të të gjitha të drejtave të parapara me ligjet e vendit dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për të garantuar rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e tyre.