Lajmet e fundit

Presidentja Atifete Jahjaga, u prit sot në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington.
Ajo takoi në Kapitol Hill anëtarët e lartë të Komitetit për Çështje të Jashtme të Kongresit amerikan, të kryesuar nga Kongresisti Ed Royce dhe anëtari i lartë i Komitetit, kongresisti Eliot Engel.
E para e shtetit të Kosovës theksoi se Kosova është e lirë dhe e pavarur për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Kongresit amerikan.
Ajo poashtu theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave për të tërhequr investitorët e huaj, reforma këto që sipas saj duhet të shoqërohen me një luftë të paprecedentë kundër korrupsionit.
Udhëheqësja kosovare gjithashtu në takim kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm me ç`rast tha se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë luftë duke u bërë shembull në rajon.
Ndërkaq, kongresistët duke ritheksuar përkrahjen e plotë të Amerikës për aspirata euroatlantike, zbatimin e reformave demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit thanë se Kosova tashmë është një rrëfim i suksesit, transmeton Klan Kosova..