Lajmet e fundit
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në ceremoninë e mirëseardhjes së grupit të dytë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë, ka thënë se tashmë është dëshmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova, ndajnë të njëjtat vlera.

Ajo gjithashtu, gjatë fjalimit të saj pritës, u ka thënë pjesëtarëve të Korpusit të Paqes, se do të njoftohen me bashkëjetesën e shkëlqyeshme ndër etnike që mbizotëron në Kosovë.
“Dëshiroj po ashtu që të përgëzoj grupin e parë të vullnetarëve që treguan gjatë këtyre muajve se miqësia e dy popujve tanë është miqësi e sinqertë. Vullnetarët e grupit të parë punuan me devotshmëri në tërë Kosovën, me komunitetin ku shërbyen dhe ofruan një dritare për kulturën amerikane”.
“U vërtetua se vlerat të cilat të dy popujt tanë i kultivojnë me krenari janë vlera të përbashkëta. Ju ishit ambasadorët më të mirë të shtetit tuaj. Familjet kosovare nuk i hapën vetëm dyert e shtëpive të tyre, ata i hapën edhe zemrat për të akomoduar vullnetarët nga shteti më mik i Kosovës, nga shteti i cili mundësoi që ne sot të jetojmë të lirë dhe besoi do të ndërtojë në paqe”.
“E di që ky grup i vullnetarëve, për herë të parë do të jetojë dhe do të ndihmojë edhe komunitetin serb të Kosovës. Ju do të shihni se Kosova është shtet i të gjithëve. Do të kuptoni që dallimet nuk na ndajnë, por na bëjnë më të fortë”, ka thënë presidentja Jahjaga, theksohet në komunikatën për media, të lëshuar nga zyra e presidentes.