Lajmet e fundit
Atifete Jahjaga: Për ne në Kosovë harmonia ndërfetare është e natyrshme sepse jetëgjatësia e saj në këto troje daton me shekuj.

Atifete Jahjaga, Presidentja e Republikës së Kosovës, shtroi mbrëmë iftar për gratë anëtare të Departamentit të Gruas në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tyre
Presidentja Jahjaga tha se iftarin vendosi ta shtrojë “me qëllim të nderimit dhe respektit për gratë e Fakultetit të Studimeve Islame, që kanë marrë rol aktiv në jetën tonë të përditshme për të ndërtuar një shoqëri demokratike e tolerante, në harmoni me vlerat tona kulturore dhe kombëtare”.
“Feja në Kosovë është pjesë e traditës sonë të pasur që tashmë po bëhet shembull gjithandej nëpër botë e cila po sfidohet nga probleme të shumta”, shkroi Jahjaga në Facebook.
“Për ne në Kosovë harmonia ndërfetare është e natyrshme sepse jetëgjatësia e saj në këto troje daton me shekuj”.
“Ne të gjithë kemi kontribuar që Kosova sot të jetë e lirë dhe e pavarur”.
“Bashkësitë tona fetare kane luajtur rol qenësor në bashkimin e qytetareve tanë. Një përpjekje e tillë e përbashkët për ta ndërtuar një Kosovë demokratike, që garanton barazinë e të gjithëve, është e domosdoshme sot. Kosova duhet t'iu qëndrojë besnike vlerave që e definojnë dhe në këtë rrugëtim të gjithë kemi kontribut për të dhënë”.