Lajmet e fundit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka falënderuar të gjithë ata që u solidarizuan dhe përkrahen realizimin e instalacionit artistik "Mendoj për ty", të artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna di Lellio.
“Instalacioni ‘Mendoj për Ty’ u shndërrua në dëshminë më të mirë të solidarizimit të gjithë shoqërisë me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës.
“Ky demonstrim i përkushtimit tonë për t'iu dalë në krahë të mbijetuarve të këtij krimi lufte duhet të konkretizohet me veprimin tonë si institucione dhe shoqëri për rehabilitimin dhe riintegrimin e plotë të tyre”, tha Jahjaga, transmeton Klan Kosova.
“Ne duhet ta mbajmë premtimin se të mbijetuarit e dhunës seksuale kurrë nuk do të jenë vetëm”.
Jahjaga falënderoi edhe organizatat në Kosovë që kanë punuar për dy dekada me të mbijetuarit e dhunës seksuale.