Lajmet e fundit
Presidentja, Atifete Jahjaga, priti sot në takim sekretarin e forcave detare të SHBA-së, Ray Mabus, i cili shoqërohej edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.Me këtë rast ajo i tha zyrtarit amerikan se Forca e Armatosur e Kosovës duhet të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s për të siguruar zhvillimin e mëtejmë të saj dhe për të marrë detyrat në fushën e sigurisë në periudhat e zvogëlimit të pranisë së KFOR-it në Kosovë.

Jahjaga e vlerësoi ndihmën e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën, posaçërisht në ndërtimin e paqes, të stabilitetit dhe përparimit për të gjithë qytetarët e saj.
E para e shtetit tha se Kosova po bën përpjekje për të vendosur sundimin e ligjit dhe të rendit në gjithë territorin e saj, duke u ndërtuar si një shtet i së drejtës, me luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar dhe me përpjekje të shtuara në rimëkëmbjen e ekonomisë së saj.
Ajo gjatë takimit poashtu tha se vendi jonë ka nisur procese të rëndësishme, përfshirë atë të krijimit të Gjykatës Speciale, për të cilën duhet të vendosë Kuvendi dhe njëkohësisht është e angazhuar edhe në dialogun me Republikën e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.
"Perspektiva evropiane e Kosovës, sikur edhe e gjithë rajonit të Ballkanit, duhet të jetë e qartë dhe e plotë dhe theksoi përkushtimin e institucioneve dhe të shoqërisë së Kosovës në rrugën evropiane." deklaroi ajo.
Udhëheqësja kosovare theksoi se as Kosova nuk është kursyer nga sfidat e shumta globale posaçërisht në fushën e sigurisë, dhe nga kërcënimet ekstremiste dhe radikale, por ka bërë hapa të rëndësishëm në parandalimin e tyre.
Sipas saj prania amerikane në Kosovë dhe në veçanti përmes forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it, kanë ndihmuar në stabilitetin dhe vendosjen e paqes jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon në përgjithësi.
Jahjaga foli edhe për Forcat e Armatosura të Kosovës.
"Forca e Armatosur e Kosovës duhet të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s për të siguruar zhvillimin e mëtejmë të saj dhe për të marrë detyrat në fushën e sigurisë në periudhat e zvogëlimit të pranisë së KFOR-it në Kosovë" tha në fund ajo.