Lajmet e fundit

Personat që dogjën veturat e disa prej zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, ende nuk janë identifikuar nga policia, edhe pse është deklaruar nga autoritetet policore se rastet janë nën hetim.
Djegia e veturës së gruas së Ministrit Memli Krasniqi, ajo e gruas së zëvendësministrit Bajram Gecaj, vetura zyrtare e shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqirit, vetura e prokurorit të Prokurorisë Speciale në Mitrovicë Ali Rexha, ende nuk e kanë të emërtuar dorasin.
Mirëpo në një e-mail anonim dërguar redaksisë së Klan Kosovës, përgjegjësinë për djegien e veturave të zyrtarëve, e ka marrë “grupi i qytetarëve të pakënaqur”, që po ashtu mori përgjegjësinë për grafitet ironizuese që u bënë në kryeqytet për Presidenten Atifete Jahjaga, për kryekuvendarin Kadri Veselin dhe për presidentin e porsazgjedhur Hashim Thaçin.
Në letrën e tyre, ky grup i bën kërcënim me jetë Kryeministrit Isa Mustafa, nëse ai nuk e tërheqë nënshkrimin nga Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ujdi kjo e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në gusht të vitit të kaluar.
Përveç se e kanë marrë përgjegjësinë se kanë djegur veturat e e kërcënojnë kryeministrin, ky grup po ashtu jep kërcënim me jetë edhe për presidentin e sapozgjedhur Hashim Thaçin dhe kryekuvendarin Kadri Veseli.
““Zajednica ka deke. isa plaki shum shpejt ka me deke. Hashimi dhe Kadria , qi smushen men shum shpejt kan me deke. Prom i kena kall do kerre ama kena me kall krejt qe s heket Isa me zajedince”, thuhet në letrën e “Qytetarëve të Pakënaqur”.
Grupi i “qytetarëve të pakënaqur”, thotë se djegia e veturave e grafitet, janë më e pakta që kemi parë deri më tash dhe se nëse nuk hiqet dorë nga krijimi i “Zajednicës”, do t’ua djegin edhe shtëpitë krerëve të shtetit.
Ndërsa, në deklaratën e tyre po ashtu thuhet se pushtetarët e dijnë se cilët janë, e nuk e kanë guximin që t’i tregojnë emrat e tyre.
“Hala kurgjo ska ndodh qa ka me bo vaki qito dit. Hekni dor se ka me jav kall edhe shpijat edhe juve. Edhe ni sen po ju thojm: leni djemt e ri rahat e qe kini koqe dilni naten kur po na shihni e spo guxoni me na u afru”, thuhet në komunikatën dërguar mediave nga ky grup”.