Izraeli ka dhënë miratimin përfundimtar për projektin e shumëdiskutuar të vendbanimit E1 në Bregun Perëndimor të pushtuar, i cili sipas palestinezëve dhe grupeve të të drejtave të njeriut do ta ndajë territorin në dysh dhe do të shkatërrojë shpresat për një shtet palestinez.
Projekti përfshin ndërtimin e rreth 3,500 banesave pranë vendbanimit ekzistues Ma’ale Adumim dhe konsiderohet nga komuniteti ndërkombëtar si shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe pengesë për paqen, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, e cilësoi vendimin si përgjigje ndaj vendeve perëndimore që kohët e fundit kanë paralajmëruar njohjen e shtetit palestinez. “Shteti palestinez po fshihet nga tavolina jo me slogane, por me veprime”.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka refuzuar hapur idenë e shtetit palestinez, duke premtuar kontroll të pakufizuar mbi Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Gazën.
Organizata izraelite “Peace Now” tha se ndërtimi në E1 synon vetëm sabotimin e një zgjidhjeje politike, ndërsa ShBA u shpreh se zgjidhja mes dy shtetesh nuk është prioritet i lartë për administratën Trump.
Aktualisht, mbi 700 mijë kolonë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, ndërsa ndërtimi në E1 mund të nisë brenda disa muajsh. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.