Lajmet e fundit

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, ka vendosur që ta shfuqizojë një pjesë të amnistisë, duke tërhequr vendimin për faljen e 22 eksponentëve politikë, nga 56 sa gjithsej i shpalli të pandëshkueshëm me vendimin e 12 prillit, shkruan Almakos.
Të gjithë personat tjerë kanë mundësi që të dorëzojnë kërkesa personale për vendimet e tyre për falje, ka thënë Ivanov në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi të premten pasdite në Shkup.
“Vendimin për falje e solla në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Maqedonisë. Shumë persona nuk e kuptuan këtë ide. Isha i akuzuar se kam dashur t’i mbroj politikanët, se kam krijuar drejtësi selektive. Deklaroj me përgjegjësi se nuk kam pasur një qëllim të tillë”, është shprehur Ivanov.
Kundër vendimit të Ivanovit për faljen e pushtetarëve pati reagime të ashpra si nga faktori i brendshëm, por edhe nga ai ndërkombëtar. Vendimi shkaktoi protesta të sektorit civil, që u shndërruan në “Revolucionin e larmë”, i cili nga 12 prilli po vazhdon nëpër rrugët e shumë qyteteve të Maqedonisë edhe sot e kësaj dite.
Ivanov sot nuk tregoi se për cilët 22 persona nga ata që paraprakisht i fali e ka tërhequr vendimin.
Sidoqoftë, vendimi i sotëm i Ivanovit për tërheqje të pjesshme të vendimit për abolim apo falje, nuk përkon me kërkesat e faktorit ndërkombëtar dhe të brendshëm, sepse kërkohet shfuqizim i amnistisë për të gjithë për të cilët u shpall më 12 prill.