Lajmet e fundit

Armata është e gatshme me çdo kusht të mbrojë integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë dhe komandanti suprem i forcave të armatosura, Gjorge Ivanov në solemnitetin e 25 vjetorit nga marrja e Karakolit “Ramna Niva” nga pjesëtarët e ARM-së dhe ngritjen e flamurit të Republikës së Maqedonisë në kufirin shtetëror.
“Edhe sot, sikur edhe para një çerek shekulli, po ballafaqohemi me sfida. Por edhe sot sikur para çerek shekulli, e kemi Armatën e Republikës së Maqedonisë e cila është mbrojtëse nga kërcënimet, krenari për qytetarët dhe shpresë për paqe në vend”, ka deklaruar Ivanov, shkruan Alsat M.
Armata, tha Ivanov, ka dhënë kontributin më të madh për plotësimin e standardeve të larta në fushën e mbrojtjes, ndërsa kjo u dëshmua edhe me menaxhimin e suksesshëm dhe profesional, por me kërcënimin nga migrimi ilegal në kufirin tojë jugor.
Ndërkohë, Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski tha se populli maqedon nuk do të tërhiqet ndërsa gjendjen në vend lidhur me krizën qeveritare e vlerëson si tensionuese dhe të paqartë. “Është të vështirë të parashikohet tjetër pos protestave, kur veproni në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve”, ka deklaruar Gruevski në një intervistë për Telegrafin e Serbisë.
Gruevski ka akuzuar liderin opozitar, Zoran Zaev, dhe siç ka thënë ai, Zaev ka një skenar për ridefinimin e plotë të shtetit dhe ndryshimin e konceptit të saj.
Në pyetjen nëse gjendja në Maqedoni mund të përkeqësohet Gruevski tha se mllefi i popullit është i madh.