Lajmet e fundit

Një mërgimtar, i ardhur për pushime në Kosovë, i kanë thyer xhamin e veturës dhe nga aty kanë vjedhur një çantë, që sipas të dëmtuarit, kishte 1500 euro kesh dhe 500 euro stoli ari.
Rasti i vjedhjes ka ndodhur në Lubizhdë të Prizrenit, ndërsa njësitet policore menjëherë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.
Rasti u zbulua nga kamerat e sigurisë së lokalit në të cilin pronari i veturës së vjedhur bashkë me familjarët e tij, kishte shkuar për drekë, transmeton Klan Kosova.
“Sipas videoxhirimeve të cilat janë marrë nga kamerat e sigurisë, vërehet një i dyshuar i cili e parkon në afërsi të Opelit një automjet karavan ngjyrë hiri, ku shihet duke e thyer xhamin dhe vjedhur një çantë”, thuhet në raportin e policisë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren apelon tek bashkatdhetarët që të jenë të kujdesshëm me paratë dhe automjetet e tyre sepse lehtë mund të bëhen pre e hajdutëve”, thuhet në komunikatën e policisë.