Lajmet e fundit

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese.
Në ë takim, Tahiri vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Italisë, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Ministrja për Dialog theksoi se Kosova është e përkushtuar në rrugën euroatlantike të saj për të cilën po punon duke bërë reforma të gjithanshme dhe zbatimin e MSA, ndërsa potencoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës po vonohet pa bazë nga ana e BE-se. Më tej, ministrja Tahiri foli edhe për gjendjen aktuale politike në vend duke konsideruar se për tejkalimin e kësaj gjendjeje nevojitet një dialog i brendshëm politik i cili do të mund të ofrojë zgjidhje përmes një marrëveshje politike për çështjet e interesit nacional për vendin tonë.
Nga ana e tij, ambasadori italian vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale me Kosovën dhe njëherësh rikonfirmoi mbështetjen për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe po ashtu angazhimin dhe përkrahjen për procesin e liberalizmit të vizave duke shtuar se Kosova po bënë përpjekjet e saja maksimale në përmbushjen e kritereve për këtë proces, transmeton Klan Kosova.