Lajmet e fundit

Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini, ka garantuar sot se Shqipëria ka mbështetjen e plotë dhe të vendosur të Italisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, ajo tha se e konsideron si një mundësi miratimin e njëzëshëm nga ky Parlament të Reformës në Drejtësi, e cila do të ndryshojë rrënjësisht sistemin gjyqësor shqiptar, shkruan albeu, përcjellë Klan Kosova.
Më tej ajo shtoi se lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë po përjetojnë një periudhë të jashtëzakonshme intensiteti.
"Dy vendet i kanë dhënë udhë projekteve të rëndësishme të bashkëpunimit, si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në atë të drejtësisë e të sigurisë. Italia dhe Shqipëria në fakt sot bashkëpunojnë në mënyrë shembullore në një sërë nismash të rëndësishme që lidhen me përmirësimin e rrjetit të transportit, të energjisë si dhe të sektorit agro-ushqimor. Po kaq thelbësore janë dhe veprimtaritë e përbashkëta në fushën e luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore", u shpreh kryetarja e Dhomes së Deputetëve të Italisë.
Sa i takon aspiratës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ajo shprehu gatishmërinë e Dhomës se Deputetëve të Italisë, per ta mbështetur në këtë përpjekje.
"Shqipëria ka nevojë për Europën për të realizuar rrugëtimin e saj drejt modernizimit dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe social në arritjen e një synimi të përbashkët, për të gjitha forcat politike.
Por edhe Europa ka nevojë për Shqipërinë si një partnere e rëndësishme e thelbësore në stabilizimin e një rajoni që ende sot përshkohet nga tensione të rrezikshme e pështjellime nacionaliste", u shpreh Boldrini ne fjalën e mbajtur para Kuvendit të Shqipërisë.