Lajmet e fundit

Kolegji ISPE ia ka ndarë ish-Presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu, titullin Doctor Honoris Causa për shkak të kontributit të tij në reformimin demokratik të Shqipërisë dhe avancimin e çështjes së Kosovës në skenë ndërkombëtare.
“Ky është titulli i parë i tillë që Kolegji ISPE e ndan dhe ai i shkon personalitetit që ka merita të mëdha si për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës ashtu edhe për tranzicionin demokratik të Shqipërisë. Periudha në të cilin Z. Moisiu ishte President i Shqipërisë ka ndikuar që ky tranzicion të jetë më i shpejtë dhe më i suksesshëm. Ai ka krijuar një model i burrështetasit të cilit duhet t’i referohemi,” ka thënë rektori i Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, duke e arsyetuar vendimin e Këshillit të Kolegjit ISPE për ta nderuar ish-Presidentin e Shqipërisë me titullin Doctor Honoris Causa.
“Përkundër shumë dekoratave që i kam marrë deri më tani, jam shumë i emocionuar sepse kjo e fundit më vjen nga vëllezërit,” u shpreh Moisiu, transmeton Klan Kosova.
“Jetojmë në një situatë me kriza në rajon dhe botë dhe duhet të kemi njerëz të përgatitur dhe të stërvitur për t’i kryer detyrat që i ngarkojnë shteti dhe kombi, sidomos ato që kanë të bëjnë me sfidat e sigurisë,” ka shtuar ish-presidenti shqiptar.
Në këtë ceremoni ishin të pranisëhm edhe ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ministri i arsimit, Arsim Bajrami dhe gjeneral brigade, Gëzim Hazrolli, zëvendëskomandanti i forcave tokësore të FSK-së.