Lajmet e fundit

Ish ministri i Shëndetësisë dhe Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se vaksinimi i qytetarëve kundër COVID-19 në veri të vendit është një goditje e rëndë e sovranitetit të Kosovës.
Ismaili ka thënë se brenda pak muajve Serbia ka ushtruar veprime të cilat janë në dëm të Kosovës.
"Kjo mënyrë e depërtimit të Serbisë në Kosovë ,një herë me teste, pastaj me personel shëndetësor dhe sot me vaksina, shpërfaq strategjinë e Serbisë që përmes pandemisë ta shkelë dhe dobësojë sovranitetin e Kosovës dhe ta avancojë agjendën e saj kundër shtetit tonë".
"Me tolerimin dhe me heshtjen e dy Qeverive të kaluara, hap pas hapi, Aleksandar Vuçiq është duke e portretizuar Serbinë si humaniste, duke tentuar që para botës ta mbulojë të kaluarën e saj gjenocidale në Kosovë".
Ismaili në një konferencë për media këtë të shtune ka potencuar se kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, duhet të dalë me një sqarim për qytetarët e Kosovës se pse nuk janë duke u vaksinuar të gjithë por vetëm ata në veri.
"Është e domosdoshme që Kryeministri Hoti të sqarojë para qytetarëve të Kosovës se si Vuçiq nga Beogradi filloi vaksinimin e qytetarëve në veri të Kosovës? Pse ky reagim i ngathët përballë shkeljes së sovranitetit? ".
"Është e rëndë dhe e pafalshme të shohim se si dy kryeministrat, Hoti dhe Kurti, u strukën para Vuçiqit dhe hoqën dorë nga sovraniteti shtetëror i Kosovës, për të cilin u sakrifikua shumë breza".
"Është irrituese për qytetarët tanë të shohin se si një Qeveri armike e Kosovës hyn në Kosovë, vaksinon kundër Covid-19, e qytetarët tjerë të Kosovës jo vetëm që nuk kanë filluar të vaksinohen, por nuk kanë madje as më të voglën informatë se kur do të nisë vaksinimi nga shteti i Kosovës", ka thënë Ismaili.
Ai ka bërë thirrje që sa më shpejt të sigurohet vaksina nga Ministria e Shëndetësisë për qytetarët e vendit.