Lajmet e fundit

Tirana u kthye sot në kryeqytetin e protestave, pasi tre protesta për kauza të ndryshme u zhvilluan në rrugët e kryeqytetit. Ish-të përndjekurit ishin sot të përçarë, duke zhvilluar dy protesta të ndryshme.
Ndryshe nga protesta që u zhvillua pranë Ministrisë së Brendshme për heqjen e bunkerit, protesta tjetër u mbajt nga Parlamenti drejt Ambasadës së SHBA-ve, për dëmshpërblimet.
Me pankarta në duar këta të fundit e nisën protestën përpara godinës së Parlamentit, ku po zhvillohet edhe seanca plenare, duke u drejtuar më pas drejt Ambasadës amerikane, lidhur me marrjen e dëmshpërblimeve të radhës.
Ky grup ish-të përndjekurish kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave deri në grevë urie në ditët në vazhdim.
Greva do të zhvillohet me moton “Ringjallet shpirti i protestës së Lirak Bejkos”, në nder të mikut të tyre që humbi jetën më 2 nëntor të 2012-s, pasi u vetëdogj në grevën 19-ditore./Shekulli