Lajmet e fundit

Në zbatim të Marrëveshjes së Brukselit për shuarjen e të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile të arritur më 26 mars 2015 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-ve si dhe duke u mbështetur në vendimin e Qeverisë të datës 22.07.2015 për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, dje është përmbyllur procesi i nënshkrimit të kontratave për individët që me sukses janë përzgjedhur për t’u bërë pjesë e institucioneve të Kosovës.
"Sipas obligimit të saj, Qeveria e Kosovës me këtë rast i ka integruar 483 persona, në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit. Përzgjedhja e këtyre kandidatëve është bërë në përputhje me ligjin për shërbimin civil dhe për atë të punës"
" Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës në panel, i kanë përzgjedhur vetëm kandidatët që i kanë plotësuar kushtet për t’u integruar siç parashihet me marrëveshje dhe me ligj, të gjithë janë shtetas të Republikës së Kosovës, i kanë dokumentet e shtetësisë, po ashtu, që të gjithë i kanë kaluar verifikimet e sigurisë nga ana e Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera të sigurisë në vend" thuhet në një njoftim për media të Qeverisë, transmeton Klan Kosova.