Lajmet e fundit

Ish-zëvendësdrejtoresha e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Vlora Hyseni, pritet të emërohet drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) shqiptar.
Kështu së paku bëri me dije kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se emrin e Vlora Hysenit ia ka paraqitur sot Presidentit të Republikës, Bajram Begajt.
Rama thotë se beson plotësisht se Hyseni ka përgatitjen e spikatur dhe përvojën shumëvjeçare.
“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.Vlora Hyseni drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, deklaroi Rama përmes një postimi në Facebook, raporton Klankosova.tv.
Vlora Hyseni ishte shkarkuar nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së AKI-së më 30 qershor, 2021.
Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca dhe Zyra e Kryeministrit atëbotë, nuk ishte bërë e ditur arsyeja e shkarkimit të Vlora Hysenit.
Aty vetëm thuhej se “zëvendësdrejtoresha e deritashme e AKI-së obligohet që ta bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar dhe t’i ruajë të gjitha informacionet që i ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës”.
“Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”, thuhej në njoftim.
Ndërkaq, pak muaj pas këtij vendimi, Hyseni ishte emëruar këshilltare e kryeministrit Rama.
Emërimi i saj në kreun e SHISH-it pret vetëm nënshkrimin e presidentit Begaj. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber