Bilall Sherifi, anëtar i ekipit mbrojtës të ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka publikuar një letër ngushëllimi për vdekjen e akademikut Rexhep Qosja.
Sherifi thotë se letra është “në emër të atyre që padrejtësisht mbahen prapa grilave në Hagë”.
Në letrën që e ka publikuar Sherifi, thuhet se jeta dhe vepra e Qosjes do të mbeten dritë udhërrëfyese dhe kujtim i paharruar për të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj. Kjo humbje e rëndë na ka prekur thellë edhe neve, prandaj ndajmë me ju pikëllimin në këto çaste të vështira! Jeta dhe vepra e tij do të mbeten dritë udhërrëfyese dhe kujtim i paharruar për të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan. Ai do të jetojë përherë në kujtesën dhe respektin tonë dhe të kombit”, thuhet në letër, sipas Sherifit.
Më tej, në letër thuhet se edhe pse larg e të privuar nga liria, “dhimbja juaj është edhe dhimbja jonë”.
“Edhe pse larg jush dhe të privuar nga liria prej vitesh, dhimbja juaj është edhe dhimbja jonë. Nga muret e heshtura të Hagës, ju dërgojmë përqafimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë jush me zemër e shpirt”.
“Urojmë që të gjeni forcë në kujtimet dhe në dashurinë që ai la pas! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Bashkudhëtarët e z. Rexhep Qosja në rrugëtimin për realizimin e aspiratave tona të ligjshme kombëtare”, është thënë në letrën e publikuar nga Sherifi, letër kjo në emër të ish-luftëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. /Klankosova.tv
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.