Në Qendrën e Kulturës, “Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë, para shumë studiuesve letrar, atyre të folklorit, libërdashësve dhe qytetarëve, është bërë promovimi i librit "Tinguj Çiftelie - Rapsodi", e autorit Isa Behrami.
Studiues letrar dhe ata të folklorit, studiues nga Mitrovica dhe Instituti Albanologjik i Kosovës, e kanë vlerësuar librin, në të cilën janë thurë shumë vargje kushtuar betejave dhe luftërave për çlirim dhe formim të shtetit shqiptar të heroit kombëtar, Isa Boletini.
Dr. Mehmet Rukiqi, ekspert i Folklorit dhe Letërsisë ka thënë se kjo ditë është e veçantë, meqë Isa po i shkruan Isës.
"Afër trimave, qëndrojnë vetëm ata që flasin, që shkruajnë, dhe këndojnë për trimat. Isa Behrami, profesori i nderuar, me këtë vepër, ka zënë një vend të sigurt afër Isa Boletinit".
Edhe profesor Fazli Hajrizi, studiues letrar ka thënë se në veprën e autorit, Isa Behrami pasqyrohet në mënyrë kronologjike jeta dhe vepra e heroit kombëtar Isa Boletinit.
"Isa Behrami, njeh gjuhën e popullit, fjalët që i përdor në këtë vepër u jep nuanca të reja kuptimore, ngjyrime të veçanta emocionale. Nga kjo vepër mund të mësojmë edhe për gjuhën, edhe për historinë".
Rapsodia “Tinguj çiftelie” është ndërtuar në frymën e folklorit, përkatësisht në stilin e këngëve popullore, bazuar në fakte historike që dalin nga biografitë e Isa Boletinit.
Prof. Dr. Adem Zejnullahu, ekspert i folklorit në Institutin Albanologjik të Kosovës, si njohës i mirë i figurës së Isa Boletinit dhe recensues i këtij libri ka thënë se në veprën e Isa Behramit janë paraqitur të gjitha format e kundërshtimeve të Isa Boletinit me sulltanët dhe krajlat e ndryshëm.
"Tinguj çiftelie – rapsodi e Isa Behramit është krijuar kryesisht në dialektin e veriut, në një gegërishte që është fare e afërt me gjuhën e këngëve epike historike. Vepra përmban shumë sintakso-stilema karakteristike për poezinë popullore të Veriut. Ajo në aspektin gjuhësor dhe, përgjithësisht, në karakteristikat e gjuhës figurative, ka ngjashmëri edhe me veprën e famshme të Gjergj Fishtës “ Lahuta e Malësisë”.
Këtë libër e ka vlerësuar edhe recensuesi tjetër, Prof. Dr. Sadri Fetiu, njohës i folklorit në Institutin Albanologjik si dhe Asllan Istrefi dhe shumë personalitete që kanë ardhur në këtë promovim.
Për librin ka folur shkurt edhe Mulla Asllan Murati, i cili ka ruajtur për shumë kohë eshtrat e heroit, Isa Boletini.

Ne emër të familjes Boletini, ka folur edhe Gazmend Boletini, i cili ka falënderuar Isa Behramin për këtë vepër.
"Ditën kur ka ardh Isa Behrami në Boletin, me ka lënë shumë përshtypje modestia e tij. E kam pa që Isa Boletinin e mban në shpirt. Shpresoj që në të ardhmen do të bashkëpunojmë në projekte tjera".
Ne emër të autorit Isa Behrami, ka folur vajza e tij, Dardanie Behrami, e cila ka falënderuar gjithë të pranishmit për pjesëmarrje dhe profesorët Zejnullahu dhe Fetiu që me përkushtim kanë punuar në këtë vepër.
Më poshtë është biografia e autorit Isa behrami:
Isa Behrami ka lindur në Vinarc të Epërm, komuna e Mitrovicës. Ai u diplomua më 1975 në Degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Prishtinës.
Më 1978 filloi punën e lektorit në Televizionin e Prishtinës (RTP), deri në fund të vitit 1980. Ai ka punuar si mësimdhënës dhe drejtor në shumë shkolla fillore dhe të mesme të Mitrovicës.
Më 2012 botoi monografinë “Lugina e Ibrit të Epërm”, një libër me rreth 400 faqe ku, ndër materiale të tjera lidhur me kulturën, botohet edhe punimi “E folmja e Luginës së Ibrit të Epërm” me 24 faqe, si dhe një këngë popullore historike me mbi 270 vargje, e zbuluar prej tij në Vinarcin e Ulët.
Me mbledhjen e folklorit tonë merret në mënyrë sporadike që nga fundi i viteve ’60, ku shumë shpejt pritet të botojë librin e radhës me përmbledhje të anekdotave.
klankosova.tv