Lajmet e fundit

Ipeshkvia e Kosovës ka dënuar sulmet që ndodhën mbrëmë në Aeroportin e Stambollit ku humbën jetën 36 persona.
"Me dhembje dhe pikëllim të thellë kemi përcjell lajmin trishtues të aktit terrorist në Aeroportin e Stambollit, i cili ishte i drejtuar kundër njerëzve të pafajshëm. Kjo shëmti e njerëzve të ligj ka tronditur botën e qytetëruar dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë".
"Ipeshkvia e Kosovës solidarizohet me dhimbjen e popullit turk, është e bashkuar në lutje për viktimat e kësaj të keqeje dhe për familjarët e tyre, që Zoti t’iu jep të gjithëve forcë dhe ngushëllim".
"Lusim Zotin që kjo e keqe kundër njeriut dhe popujve, me përmasa ndërkombëtare, të ndalet sa më shpejt, duke i kthyer zemrat e njerëzve që të kuptojnë se e ardhmja e njerëzimit nuk ndërtohet me dhunë e vrasje, por në vëllazëri, në paqe, në dashuri dhe me respekt ndaj tjetrit vëlla dhe motër".
"Për shpirtin e të ndjerëve të rënë në këtë tragjedi dhe për paqe në botë, Ipeshkvia e Kosovës do të kremtojë meshë të dielën e ardhshme – 3 korrik 2016 – në të gjitha kishat e saja", thuhet në një njoftim për media të Ipeshkvisë, transmeton Klan Kosova..