Lajmet e fundit

Deklarimet e kryetarit të Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, se disa investitorë gjerman që do të investonin në qytetin e tij u drejtuan për në Podujevë, janë demantuar nga Ministrja e tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami e cila po thotë se një gjë e tillë. S’është e vërtetë.
Ajo në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, është shprehur se ishin vetë investitorët ata që zgjodhën Podujevën e jo Drenasin si lokacionin për të investuar kapitalin e tyre.
“Sa i përket fabrikës në Drenas, në momentin kur e kam taku e kam parë që janë serioz e unë ju kam thënë se ata mund ta marrin hartën e Kosovës e të vendosin në cilën komunë do të investojnë e ata do ta kenë cilindo lokacion. Investitori gjerman asnjëherë nuk e ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Drenas”, ka thënë ajo.
“Ata në Podujevë nuk e kanë gjetur vetëm lokacionin por edhe ndërtesën. Firmat gjermane nuk iu bëjnë favore politikanëve, duke i pyetur ku do ta vendosin biznesin e tyre. Atyre nuk iu ka konvenuar që të shkojnë në Drenas. Ata e kanë parë interesin që të shkojnë në Podujevë”, është shprehur ajo.
Para pak ditësh, në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, Nexhat Demaku Kryetari i Komunës së Drenasit, kishte deklaruar se një kompani gjermane që do të hapte fabrikë për përpunimin e ushqimit në Drenas, është udhëzuar që të investojë në Podujevë, duke u larguar kështu nga qyteti që drejton ai.