Lajmet e fundit

“Është fakt i pakontestueshëm se mjetet e reja të komunikimit që ka mundësuar interneti kanë një përparësi jashtëzakonisht më të madhe, në krahasim me mjetet që kemi pasur në atë kohë. Kemi pasur vështirësi të mëdha, Grupi Diplomatik i UÇK-së ka mbajtur rreth 30 konferenca për gazetarët e akredituar në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, konferenca me gazetarët në Bruksel, në Bon, në Vjenë, në Londër, në Paris,” thotë Mahmuti.
Mahmuti, mes tjerash, ndan edhe momente nga takime e biseda me liderë botërorë, të parrëfyera më herët.
INTERVISTA E PLOTË:
Si shef i Grupit Diplomatik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, a mund të na tregoni se si pranoheshin drejtuesit e kësaj ushtrie nga politikanët dhe opinioni publik i shteteve perëndimore?
Bardhyl Mahmuti: Ka kaluar gati një çerek shekulli nga ajo periudhë kohore dhe njerëzit mund edhe t’i kenë harruar. Po ua rikujtoj se të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së luftën në Kosovë e shihnin si çështje që duhej të zgjidhej në kuadër të Jugosllavisë së mbetur, pas pavarësisë së shumicës së republikave, që dikur përbënin këtë Federatën Jugosllave. Procesi i legjitimimit të luftës sonë çlirimtare ka qenë proces i vështirë, sepse kërkesat për pavarësi binin ndesh me orientimet politike dhe strategjike të atyre që dëshironin të ruanin status kuonë në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.
Çka do të veçonit si moment kthese në aktivitetin diplomatik të UÇK-së?
Bardhyl Mahmuti: Për lexuesin tuaj do të veçoj dy ngjarje që shënojnë momentet kthyese të luftës sonë diplomatike:
Në qershor të vitit 1998, disa ditë para mbajtjes së një mbledhjeje të Grupit të Kontaktit për ish-Jugosllavinë, ku do të shqyrtohej situata në Kosovë, së bashku me Ramadan Avdiun, u takuam me një delegacion të Departamentit të Shtetit Amerikan dhe Pentagonit. Delegacioni amerikan kryesohej nga ambasadori Robert Gelbart.
Në këtë takim, që zgjati rreth pesë orë, u kërkua nga ne që të sqaronim platformën e UÇK-së. Takimin e konsideruam të suksesshëm, sepse në mbrëmje të asaj dite, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Xhems Rubin, doli në konferencë për shtyp dhe e konfirmoi takimin që kemi pasur. Për ne ishte i një rëndësie të madhe fakti se për herë të parë institucionet shtetërore të SHBA-së hodhën poshtë cilësimin “terrorist”, që i vishej UÇK-së, dhe deklaruan haptas se UÇK-ja duhej të përfshihej në bisedimet për ardhmërinë politike të Kosovës.
Ngjarja tjetër e rëndësishme ndodhi dy ditë më vonë. Në Zvicër mbahej Forumi diplomatik i Krans Montanës. Në këtë takim të rëndësishëm diplomatik, SHBA-në e përfaqësonte ambasadori Riçard Hollbruk.
Falë ndihmës së madhe të kryeministrit të Shqipërisë në atë kohë, Fatos Nano, u mbajt takimi me ambasadorin amerikan. Takimi zgjati nga ora 23:00 e deri në 04:45 të mëngjesit. Në konferencën për shtyp, që pati disa orë më vonë, edhe ambasadori Hollbruk pohoi për takimin që kemi pasur. Mirëpo, më e rëndësishmja që u tha në këtë konferencë me gazetarët ka të bëjë me përgjigjen që dha ambasadori amerikan rreth këmbënguljes së UÇK-së për të realizuar pavarësinë nga Serbia: Ambasadori Hollbruk e tha se SHBA-ja nuk e përjashton pavarësinë e Kosovës, nëse një gjë e tillë do të bëhej në mënyrë analogjike, siç ndodhi me ndarjen e Çekisë nga Sllovakia.
Ishte hera e parë që një diplomat i këtij rangu linte dyert e hapura për kërkesën tonë për pavarësi.
(Sqarim: Pas përfundimit të luftës, një përmbledhje e këtyre bisedimeve është botuar në shtypin e Kosovës nga Xhavit Haliti).
Që nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, mediat ndërkombëtare janë të përqendruara në këtë luftë. Një dukuri e veçantë e kësaj lufte është shfrytëzimi i mediave sociale dhe formave të ndryshme të komunikimit nga ana e presidentit Volodymyr Zelensky. A mund të bëhet ndonjë krahasim me mjetet e komunikimit që keni pasur ju gjatë luftës së Kosovës?
Bardhyl Mahmuti: Është fakt i pakontestueshëm se mjetet e reja të komunikimit që ka mundësuar interneti kanë një përparësi jashtëzakonisht më të madhe në krahasim me mjetet që kemi pasur në atë kohë. Mirëpo, në rastin e Ukrainës nuk duhet të harrohet fakti se bëhet fjalë për një shtet të pavarur, anëtar të OKB-së dhe të shumë institucioneve ndërkombëtare dhe rajonale. Njohja e përfaqësuesve të këtij shteti si përfaqësues legjitimë ka bërë që, përveç pranisë së presidentit ukrainas në rrjetet sociale, atij t’i mundësohet t’u drejtohet nëpërmjet vizio-konferencave deputetëve të parlamenteve, kongresistëve apo manifestuesve që protestonin kundër agresionit rus. Kam qenë i pranishëm në mitingun e solidaritetit me popullin ukrainas, që u mbajt në Bernë të Zvicrës, më 19 mars, kur presidenti ukrainas iu drejtua manifestuesve dhe politikanëve të pranishëm, në mesin e të cilëve ishte edhe presidenti i Zvicrës, z. Ignazio Cassis.
Megjithëse kemi pasur vështirësi të mëdha, Grupi Diplomatik i UÇK-së ka mbajtur rreth 30 konferenca për gazetarët e akredituar në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, konferenca me gazetarët në Bruksel, në Bon, në Vjenë, në Londër, në Paris. Sa i përket komunikimit me përfaqësues të institucioneve politike evropiane, po përmend rastin kur, së bashku me Sabri Kiçmarin, përfaqësuam UÇK-së në Parlamentin Evropian, në Komisionin Evropian, në Senatin Belg. Një pjesë të madhe të fjalës që kam mbajtur në këtë parlament është botuar në të përditshmen “Koha ditore”, gazetë që iu ka dhënë një hapësirë të madhe aktiviteteve diplomatike të UÇK-së.
Në cilat shtete kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e Grupit Diplomatik të UÇK-së?
Bardhyl Mahmuti: Grupi Diplomatik ka pasur një aktivitet të theksuar në Zvicër (Jashar Salihu, Ramadan Avdiu, Bilall Sherifi, Agush Buja), në Gjermani (Sabri Kiçmari, Rexhë Ibërdemaj, Mujë Rugova), në Angli (Pleurat Sejdiu), në Francë (Xhevat Bislimi), në SHBA (Dino Hasanaj).