Lajmet e fundit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një intervistë ditën e martë në televizionin Skai të Greqisë.
Këtë intervistë, analisti Petrit Zogaj nuk po e sheh me shumë se performancë mediatike.
“Edi Rama ka probleme diplomatike me Greqinë, në qoftë se disa batuta e kanë shpëtuar në intervistë, këto nuk e heqin barrën politike, siç janë çështja çame, çështja e Himarës, marrëveshja detare dhe çështja e varrezave. Vetëm kjo e fundit ekziston në komision. Janë pezull disa çështje substanciale për marrëdhëniet bilaterale” ka thënë Zogaj në një intervistë ne emisionin Zona B, në Klan Kosova.
Në anën tjetër, analisti Astrit Gashi po e sheh një arritje në këtë intervistë, në atë që Edi Rama ka bërë grekët që të shohin se sa shumë kanë gabuar në raport me shqiptarët.
“Edi Rama është komunikues i shkëlqyeshëm, ka aftësi të jashtëzakonshme në marrëdhëniet me publikun. Në një formë Rama ka arritur me i përballë grekët me veten në raport me të tjerët” ka thënë Astrit Gashi.
Ndërsa, sipas Gashit kjo intervistë nuk përbën ndonjë ndryshim thelbësorë, nuk do të këtë ndonjë efekt konkret në raportet Shqipëri-Greqi, përderisa analisti Zogaj vuri në pah edhe mos realizimin e një takimi bilateral të kryeministrit grek dhe atij shqiptar, përderisa ky i fundit ka deklaruar që do të ketë partneritet strategjik me Greqinë.