Inteligjenca artificiale i ka shërbyer mirë njerëzimit, por zhvillimi i hovshëm teknologjik paraqet një rrezik të madh për botën, nëse nuk mbahen në kontroll.
Kështu u tha sot në një konferencë të nivelit të lartë, që po mbahet në Helsinki të Finlandës, me temën "Ta qeverisësh ndryshuesin e lojës - ndikimi i inteligjencës artificiale në të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Konferenca është organizuar nga Presidenca finlandeze e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe vetë KE-së. Klan Kosova, me ftesë të ministrisë së jashtme të Finlandës/ambasadës finlandeze në Kosovë, po e mbulon këtë ngjarje të madhe.
" Të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit nuk janë marrë shumë parasysh kur bëhet fjalë për inteligjencën artificiale", tha Timo Soini, ministër i jashtëm i Finlandës në fjalimin e tij hyrës.
Zhvillimi i madh teknologjik/inteligjencës artificiale po shihet me shqetësim, në disa aspekte, edhe nga vetë krerët e Këshillit të Evropës.
"Njerëzit kanë të drejtë të shqetësohen për atë nëse kjo shoqëri e udhëhequr nga inteligjenca artificiale mund të mos jetë më humane", tha në hapje të kësaj konference, Thorbjorn Jagland, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Ai shtoi se duhet një konventë kornizë për të rregulluar ndikimin e inteligjencës artificiale (revolucionin teknologjik) në demokraci, të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit.
"Ne nuk mund të ikim ose të fshihemi e as ta ndalojmë revolucionin teknologjik por duhet ta shfrytëzojmë atë për të mirën tonë", tha Jagland. "Inteligjenca artificiale po na ndihmon, por edhe po na influencon".
Në këtë frymë, komesarja për të drejta të njeriut e KE-së, Dunja Mijatoviq tha se duhet vepruar menjëherë në mënyrë që të mos bëhet vonë. "Ose ne e qeverisim lojën, ose loja na qeveris neve", deklaroi ajo, transmeton Klan Kosova. "Ne duhet t'i vëmë qeniet njerëzore, dinjitetin dhe të drejtat e tyre në qendër të vëmendjes".
Edhe ministrja franceze e drejtësisë, Nicole Belloubet, bëri thirrje për kujdes.
" Inteligjenca artificiale është një sfidë re për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit", tha ajo.
klankosova.tv