Lajmet e fundit

Kompania publike “Infrakos”, e cila menaxhon infrastrukturën e Hekurudhave të Kosovës është pranë kolapsit financiar. Drejtuesit e kësaj kompanie i kanë kërkuar para aksionarit të vet, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në mënyrë që të mos vijë deri të bllokimi i lëvizjes së trenave. Përkeqësimi financiar i “Infrakos”-it, vjen menjëherë pas kaplimit të krizës financiare nëpër të cilën është duke kaluar edhe kompania “Trainkos”, e cila merret me operimet me trena si në transport të mallrave ashtu edhe në atë të udhëtarëve.
Agron Thaçi, kryshef i “Infrakos”-it, ka kërkuar nga ministri i MZHE-së, Blerand Stavileci, që me rishikimin e buxhetit të ndahen edhe mjetet për kompaninë në krye të së cilës është. Ai ka thënë se paratë u takojnë edhe me Ligjin e Hekurudhave, i cili, sipas tij, parasheh subvencionimin e ndërmarrjes. Këtë kërkesë, Thaçi ia ka bërë të martën, ministrit Stavileci i cili për herë të parë ishte në vizitë si aksionar tek Hekurudhat e Kosovës, shkruan Zëri.
Kryshefi Thaçi ka folur lidhur me projektet që janë duke u realizuar si për zgjerimin e disa linjave hekurudhore dhe ka thënë se disa nga to të mundë të lëshohen brenda katër ose pesë viteve. Ai ka thënë se në shumë projekte janë duke bërë studimin e fizibilitetit me organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe se pas përfundimit të këtyre projekteve “Infrakos” do të jetë kompani e qëndrueshme financiarisht dhe në dobi të komunitetit.