Lajmet e fundit
Ekonomia kosovare megjithëse e vogël, jokonkurrente dhe e pafuqishme, është burim i informalitetit me shifra galopante, i pakrahasueshëm me shumicën e shteteve të rajonit madje.

Informaliteti ekonomik është një nga dëmtuesit më të mëdhenj të ekonomisë së shtetit. Kjo sepse shtrirja e ndikimit është e gjerë, si në aspektin e fushave që prek ashtu edhe në atë kohor.
Në Kosovë, sipas analistëve, ky cen ka përmasa që kalojnë logjikën, pasi i shprehur në vlerë monetare kalon buxhetin e vetë shtetit.
Për këtë çështje ngjashëm mendon edhe inxhinieri i financave, Florin Aliu, i cili këtë dukuri për nga vlera e ndan në baza territoriale por jo edhe për nga ekzistimi apo jo.
“Studime të ndryshme tregojnë se ekonomia informale operon në rangun 27-40%. Niveli më i lartë i ekonomisë informale kapë veriun ku shumica e bizneseve janë të regjistruara në regjistrin biznesor të Serbisë. Por, nivel i lartë i informalitetit mbizotëron edhe brenda teritorit të Kosovës ku Administrata Tatimore e shtrinë ndikimin e saj, që tregon qartë dobësinë e institucioneve tona për t’i mbledhë taksat që i detyron ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Aliu për Klan Kosovën.
Aliu informalitetin e sheh si të shumëaspektshëm, dëmtues në afat të gjatë dhe paralizues të shumë sferave të ekonomisë.
“Konsekuencat e kësaj anomalie ekonomike janë multidimensionale: informaliteti në tregun e punës pamundëson pagesën e sigurimeve pensionale, pra krijohen ngarkesa buxhetore për shtetin e Kosovës në të ardhmen, çrregullon mekanizmat e çmimeve në tregun e brendshëm duke destimuluar investititorët, dëmton operatorët formal”.
“Informaliteti është kancer i ekonomisë kosovare”.
“Së fundmi luftimi i informalitetit kërkon vullnet politik që deri tani nuk ka ekzistuar, pjesë tjera të zinxhirit të luftimit të informalitetit janë derivate të vullnetit politik.”
Ngjashëm, këtë dukuri, e ka komentuar edhe drejtori i STRASS, Ibrahim Rexhepi.
Ai ka thënë se “ndoshta, më shumë se dukuria, dëm është duke shkaktuar mungesa e shifrave reale për shkallën e shtrirjes së saj”.
“Ekonomia informale është ende e madhe dhe vështirë se do të kemi zvogëlim të dukshëm të saj, pasi zhdukja në afatet e përmenduara nga institucionet është e pamundur”.
Rexhepi më tutje ka shtuar se institucionet nuk kanë bërë sa duhet për ta luftuar këtë dukuri, ndërsa ka theksuar se “fiskalizimi i bizneseve është një mënyrë efikase e luftimit të informalitetit ekonomik, pasi në të kundërtën veç kësaj, bizneset e pafiskalizuara kanë pozitë më të mirë se bizneset tjera”.
Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoriatit të Punës, paçka se e sheh si dukuri dëmtuese dhe me implikime të gjera, nuk pajtohet me përcaktimet e analistëve për vlerën në të cilën është i shprehur.
“Nëse analizojmë statistikat nga Enti i Statistikave të Kosovës, Agjensioni i Statistikave të Kosovës dhe Trusti i Kursimeve Pensionale nuk dalin të vërteta pretendimet e analistëve. Kjo për faktin se në Trustin e Kursimeve Pensionale janë diku rreth 309 mijë qytetarë që paguajnë rregullisht kurismet pensionale, ndërsa nëse e shohim sipas statistikave të fundit të Agjensionit të Satitstikave të Kosovës, janë dikund rreth 500 mijë punëkërkues aktiv. Pra, nëse 50% e punëtorëve janë pa kontrata pune dhe 309 mijë me kontrata të rregullta, del që kemi edhe 300 mijë të tjerë, plus 5% të tjerë, që në total i bie që Kosova ka 700 mijë të punësuar. Kur dihet që punëkërkues janë rreth 25 deri 30 %, na del që Kosova ka importuar 100-200 mijë punëtorë.”
Ibrahimi poashtu tha se inspektoriati është në fazat finale me fushatën për vetëdijësimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve për detyrimet dhe të drejtat e tyre, rrjedhimisht për ndërlikimin që i sjellë ekonomisë kjo shmangie nga ligji, si edhe për veprimet që do të ndërmerren.
“Jemi duke bërë fushatë për vetëdijësim. Pas kësaj fushate nuk do të japim kohë shtesë, por në momentin që identifikohet, do t’i shqiptohet gjobë drejtëpërdrejtë, sepse po e shohim që vetëdijësimi nuk ka shkuar në nivelin e duhur nga ana e punëdhënësve përkundër të gjitha masave që i kemi marrë.”
Të dhënat nga një studim i bërë vënë në pah se informaliteti është më shumë i pranishëm tek ndërmarrjet e vogla, se sa tek ndërmarrjet e mëdha. Ndërsa, shkalla e informalitetit në Kosovë është 34.4%.