Analiza e pjesëmarrjes së shqiptarëve në protestën e djeshme në Shkup ishte tema rreth së cilës në studion e Info Magazinës, të Kushtrim Sadiku,
Nga Shkupi në emision u inkuadruan drejtpërdrejt Naser Selmani, analist dhe kryetar i shoqatës së gazetarëve, dhe Muhamed Zeqiri, kryeredaktori i televizionit Alsat – M. Kurse në studion e Kushtrim Sadikut ishte analisti Naim Rashiti, nga Grupi i Ballkanit për Politika.
Naser Selmani është ndër opinionistët e rrallë që u bëri thirrje shqiptarëve për t’u mos bashkëngjitur në protestat e thirrura nga opozita.
Ai tha në Info Magazinë se shqiptarët po përdoren për qëllime politike.
“Situata është shumë e thjeshtë: dikush po dëshiron t’i përdorë shqiptarët për qëllimet e tyre politike, andaj shqiptarët nuk duhet të protestojnë para Qeverisë”.
Selmani pohoi se nuk është kundër marrëveshjes me partitë maqedonase, por ato duhet t’iu ofrojnë diçka shqiptarëve.
“Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë për lëmoshë - ata duhet të imponohen në mënyrë politike”.
Ai shtoi se nga protesta në Shkup u duk se shqiptarët dhe maqedonët janë bashkë dhe e kanë vetëm një qëllim – rrëzimin e Gruevskit, por shqiptarët kanë shumë shqetësime tjera.
“Kryeministri mund të ndërrohet, por jo edhe politikat ndaj shqiptarëve”.
Qëndrimet pasive të partive politike pas ngjarjeve në Kumanovë tregojnë se shqiptarët nuk e kanë një zë politik që do t’i përcillte shqetësimet e tyre.
“Shqiptarët janë të hutuar”.
“Këtë huti po e ndihmojnë gazetarët dhe aktivistët”.
“Nëse tash shqiptarët nuk rreshtohen si duhet, ardhmëria e tyre vuloset për 10- 15 vitet e ardhshme”.
Ndërsa Muhamed Zeqiri, kryeredaktori i televizionit Alsat - M, në Shkup, ka thënë se po të ishte biseduar një muaj më parë për protestën që ndodhi dje, kjo do të dukej e pamundur.
“Shqiptarët e kanë humbur besimin tek liderët e tyre”.
“Ata u bashkuan në protestë për ta ngritur zërin kundër Nikola Gruevskit”.
“Shqiptarët nuk dolën aty për Zoran Zaevin - ata dolën ta largojnë Gruevskin nga pushteti”.
“Shqiptarët në Maqedoni duhet ta marrin hisen e vet. Nuk janë ata që ishin dikur dhe kur dikush luante me ta”.
“Tash shqiptarët mund të organizohen edhe vet me kërkesat e tyre”.
Zeqiri tha se nga liderët e Kosovës dhe të Shqipërisë presin që ta ndihmojnë procesin në Maqedoni, e jo ta pengojnë atë.
“Edi Rama shtroi vetëm një drekë në Pogradec”, tha Zeqiri.
Sa i përket mundësisë tërheqjes së BDI-së nga Qeveria e Maqedonisë, ai tha se nuk e përkrahë këtë opcion, por BDI duhet të vazhdojë të punojë shumë për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni.
Në studion e Info Magazinës ishte edhe analisti Naim Rashiti, nga Grupi i Ballkanit për Politika, i cili tha se protesta ka treguar se shqiptarët janë vetëdijesuar.
“Ka një rritje të aktivizmit qytetar, sidomos në mesin e shqiptarëve, gjë që tregon për emancipimin e tyre”.
“Ky është një aktivizëm i pamanipuluar dhe vjen nga e përbashkëta e të dy popujve që kanë pësuar nga metodologjia e qeverisjes së Gruevskit”.
“Involvimi i kosovarëve në Kumanovë nuk i bëri mirë situatës. Zgjidhja duhet të kërkohet në një marrëveshje”.
“Tash duhet të arrihet një marrëveshje politike për Maqedoni, e cila do t’i përfshijë edhe shqiptarët. Faktori shqiptar do t’i kontribuojë riparimit të funksionimit të shtetit.
“Shqiptarët në Maqedoni nuk duhet të krijojnë koalicion, siç bënë serbët në Kosovë, por duhet të kenë qëndrime të përafërta me politikën maqedonase”.
klankosova.tv