Në Info Magazine për të folur për Bllokun opozitar, qëndrueshmëërinë e tij, mundësitë që ka ai për të ndikuar në zhvillimet politike në Kosovë dhe parimet mbi të cilat është formuar, të ftuar të Kushtrim Sadikut ishin Ahmet Isufi, zyrtar i AAK-së dhe Bajrush Morina, analist politik.
Morina tha se ky bashkim nuk do të funksionojë për shkak të dallimeve të mëdha mes partive, ndërsa nuk ngurroi që disa nga ato edhe t’i etiketojë.
“Opozita jonë është shumë heterogjene sepse kanë mospajtime të mëdha përmbajtësore. Për shembull AAK-ja dhe VV-ja kanë mospajtime të mëdha në shumë fusha. Aleanca është e djathtë dhe funksionimin e bazon në institucione ndërsa VV të gjithë regarimin e saj e bazon në rrugë”.
“Nisma nga ana tjetër është një parti politike thuajse pa identitet, është një nëndegë e PDK-së me strukturë dhe gjithçka. Nuk kanë qartësi të programit politik”.
“Ky heterogjenitet e bënë të pafuqishëm ndaj koalicionit të madh”.
Nga ana tjetër, Isufi nuk u pajtua me pretendimet e Morinës se formacioni i bashkuar opozitar nuk mund të funksionojë, duke marrë si shembull që “bashkimi bën fuqinë” protestat për rrëzimin e Jabllanoviqit.
“Është akumuluar pakënaqësia -nuk mund të thuhet që protestat nuk kanë pasur sukses sepse Jabllanoviq u shkarkua si rrjedhojë e presionit të protestave”.
“Jemi të vetëdijshëm kur kryeministri Mustafa ka thënë nuk do ta shkarkojë dhe pastaj Jabllanovic u shkarkua”.
“Është ngritur niveli i kërkesës për protesta”.
“1001 arsye kanë qytetarët që të ngriten në protesta. Është cënuar territori, është cënuar buxheti janë shumë probleme të mëdha që po e karakterizojnë shtetin”.
“PDK-në dhe LDK-në i ka bashkuar interesi, ai ekonomik, për pasuri të familjeve të tyre”.
“Neve na bashkon zori nëse asgjë tjetër nuk na bashkon”.
Fakti se bashkimi i opozitës nuk është parimor, pra me një qëllim të caktuar, por nga pafuqia, është shqetësues sipas analistit Morina.
“Problemi qëndron në atë se opozita bashkohet nga zori e jo nga një qëllim”.
“Ka një mungesë të alternativave”.
“Demarkacioni është problem i kahmotshëm, nuk është nga sot. Demarkacionin e ka vendosur marrëveshja e Kumanovës. Ai nuk është problem politik vetëm i Aleancës, por i gjithë Kosvoës. As Demarkacioni as Asociacioni nuk janë probleme me të cilat qytetarët po përballen këta muaj, ose këtë vit”.
“Asociacioni si derivat i Marrëveshjes së Brukselit. Në tekstin e marrëveshjes së Brukselit është bashkautor ish nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala”.
“Edhe AAK-ja e ka votuar dhe e ka përkrahur Asociacionin”.
Mirëpo me këto konstatime nuk u pajtua zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pasi sipas tij në momentin kur është vërjetur se dialogu ka problem AAK-ja ka reaguar.
Sipas tij ka shumë arsye për protesta, por gjithmonë me kusht që ato të jenë të qeta.
“Nuk e kemi pranuar këtë marrëveshje. Kur e kemi parë që dialogu po shkon duke u degraduar ne kemi reaguar tek Blerim Shala”.
“Serbia do të ndërhyjë drejtpërdrejt me buxhet në Asociacion dhe Asociacioni do të përgjigjet”.
“Marrëveshja energjetike është e dëmshme, qytetarët përballen me ndalesa kur kalojnë kufirin me Serbi detyrohen të heqin taragat. Ka cenim të sovranitetit, ka shumë arsye për të protestuar”.
“Pushteti drejtpërdrejt i ka organizu protestat e dhunshme. Madje në protestat e fundit ata kanë qenë të gatshëm edhe për gjakderdhje”.
“Protestat do t’i bëjmë demokratike në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Do t’i ftojmë të gjithë , shoqërinë civile, mediat, të gjithë akterët e interesuar që t’i ndalojnë këto të këqija që po i bëhen Kosovës”.
klankosova.tv