Lajmet e fundit

Festa e Flamurit, 28 nëntori, është shpallur ditë pushimi nga Qeveria e Kosovës, ndonëse e njëjta nuk është kalendarin e festave zyrtare të vendit.
Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar ditë më parë, se për shkak të rëndësisë së madhe që ka kjo ditë për shqiptarët, të hënën do të jetë ditë pushimi në vend, shkruan gazeta "Zëri".
Megjithatë, numri i festave zyrtare në Kosovë vlerësohet i lartë, prandaj disa prej tyre që nuk kanë rëndësi për vendin, duhet larguar nga kalendari i festave zyrtare.
Në Ministrinë e Administratës Publike, (MAP), deklarojnë se Ligji për Festat Zyrtare respektohet plotësisht. “Ligji Nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës zbatohet plotësisht në praktikë”, ka deklaruar për “Zërin” Zeqir Bekolli, zyrtar i lartë në MAP.
Por, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se Kosova ka një inflacion të festave zyrtare.
Sipas tij, nëse festa i bie në vikend, atëherë nuk duhet pushuar gjatë ditëve të punës.
Sipas tij, Ligji për festa zyrtare ka filluar keq dhe po përfundon në të njëjtën mënyrë.
“Fillimisht kur është hartuar Ligji, Festa e Flamurit, 28 nëntori, nuk është paraparë që të jetë festë zyrtare, por në listë janë disa festa tjera zyrtare që nuk kanë domethënie të madhe për vendin”, ka potencuar Baraliu.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, vlerëson se është për keqardhje se Kosova ka shumë festa zyrtare e në mesin e tyre nuk është Festa e Flamurit.
“Është për keqardhje se si në Ligjin për Festat Zyrtare përfshihen numër i madh i festave zyrtare, por jo edhe 28 nëntori, e cila është festa më e rëndësishme për gjithë kombin shqiptar”, ka deklaruar ajo.