Lajmet e fundit

Në Klinikën Infektive janë të mbushura të gjitha kapacitetet spitalore dhe aktualisht janë të shtrirë 112 pacientë dhe 80 përqind prej tyre janë me oksigjenoterapi.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku, i cili deklaroi se në këtë klinikë tashmë janë të shtrirë 112 pacientë.
“Ne i kemi të gjitha kapacitetet e mbushura. I kemi gjithsej 112 pacientë prej të cilëve diku 80 përqind janë me oksigjenoterapi dhe vazhdojmë të japim trajtim, por kapacitetet janë komplet të shfrytëzuara tashmë. Sot e kemi pasë një pacient të intubuar që e kemi përcjellë në Mjekimin Intensiv. Arsyeja e përcjelljes është se janë duke u bërë disa renovime përfundimtare me qëllim të funksionalizimit të komplet sistemit të oksigjenit i cili ka nisur dje”.
Nga dita e djeshme në Klinikën Infektive të QKUK-së është lëshuar në funksion sistemi qendror i furnizimit me oksigjen për të gjithë shtretërit e kësaj klinike. Kjo po shihet si një lehtësim shumë i madh për profesionistët shëndetësorë, por edhe pacientët.
“Është lehtësim shumë i madh edhe për pacientin, por edhe për stafin realisht, sepse gjithmonë ka qenë panik se në orën 3 apo 4 të natës ka mundur që pacientit t’i shpenzohet boca. Sigurisht që tani ajo sfidë na është larguar neve dhe nuk e kemi këtë. Kjo do jetë shumë më mirë për pacientët, por edhe lehtësim për ne personelin shëndetësor për arsye se realisht nuk do ta kemi shqetësimin e furnizimit me oksigjen për pacientët që kanë nevojë e 70 ose 80 % e pacientëve të spitalizuar me COVID-19 kanë nevojë për oksigjen”.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku, ka deklaruar se përveç barit antiviral remdesivir - që ende po vazhdojnë qytetarët ta sigurojnë vetë - mungesa të tjera nuk kanë.
Ditëve të fundit në Kosovë është shtuar numri i qytetarëve të prekur me COVID-19. Në 24 orëshin e fundit kanë rezultuar 632 raste pozitive, ndërsa janë raportuar tetë raste të vdekjes.