Pjesëmarrja e Iranit në Kupën e Botës, që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte qenë nën pasiguri për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka konfirmuar se Irani do të jetë pjesë e turneut, duke i dhënë fund spekulimeve për përjashtim apo ndryshim të statusit të tij në garë, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë Kongresit të 76-të të FIFA-s, të mbajtur në Kanada, Infantino deklaroi se jo vetëm që Irani do të marrë pjesë në Botëror, por edhe se ndeshjet e tij do të zhvillohen në territorin e Shteteve të Bashkuara.
“Duhet ta konfirmoj menjëherë se Irani do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 dhe do të luajë në ShBA”, u shpreh ai.
Sipas shortit të kompeticionit, Irani është vendosur në Grupin G, së bashku me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re.
Ndeshjen e parë, përfaqësuesja iraniane pritet ta zhvillojë më 15 qershor në Los Anxhelos ndaj Zelandës së Re.
Pavarësisht tensioneve politike dhe sigurisë ndërkombëtare, FIFA ka theksuar se organizimi i turneut do të vazhdojë sipas planit dhe se të gjitha kombëtaret e kualifikuara do të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa dallime apo kufizime të veçanta në pjesëmarrje. /Klankosova.tv
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.