Lajmet e fundit

India e ka zgjeruar programin e saj të vaksinimit ndërkohë që numri i infeksioneve po rritet dhe kryeqyteti ka shkuar në bllokim.
Qeveria ka njoftuar se të gjithë personave mbi moshën 18 vjeçare do t’iu jepet vaksina kundër COVID-19 duke filluar nga 1 maji.
Megjithatë, me vaksinat që janë në mungesë në shumë shtete, është e paqartë se prej nga do të vijnë dozat shtesë, transmeton Klan Kosova.
Qeveria indiane ka thënë javën e kaluar se ka në dispozicion vetëm 27 milionë doza të vaksinave – ose sasi të mjaftueshme për nëntë ditë në ritmin aktual të vaksinimit.
India është duke vaksinuar punëtorët shëndetësor, punëtorët në vijën e parë dhe personat mbi moshën 45 vjeçare, por disa shtete – përfshirë edhe Maharashtra që është vendi me shifrat më të larta të infeksionit – kanë raportuar se nuk kanë furnizim të mjaftueshëm të vaksinave.
Ka pasur gjithashtu raportime nga disa zona se shumë njerëz janë kthyer prapa nga qendrat e vaksinimit, pikërisht për shkak të mungesës së vaksinave kundër COVID-19.
India ka raportuar rreth 200.000 raste në ditë nga 15 prilli – që është shifër shumë më e lartë sesa në kulmin e pandemisë, që ishte vitin e kaluar, kur regjistroheshin rreth 93,000 raste në ditë.
Numri i vdekjeve gjithashtu është rritur, ku vetëm të hënën janë konfirmuar 1619 persona të vdekur nga COVID-19.
Kryeqyteti Delhi ka hyrë në bllokim gjashtëditor duke filluar nga e hëna derisa spitalet kanë raportuar se kanë mungesë të shtretërve, oksigjenit dhe ilaçeve kryesore.