Lajmet e fundit

Ashtu si edhe pritej, Ilir Meta është rikonfirmuar për një tjetër mandat në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Meta kryeson garën me 76 për qind, ose 31.815 vota, duke lënë pas Përparim Spahiun, me 12 për qind ose 5605 vota dhe Shezai Rrokajn me 11.9 për qind, ose 4982 vota, bën me dije përfaqësuesja e LSI-së përmes një deklarate për media. 42 mijë e 370 anëtarë të LSIsë votuan për të zgjedhur kreun e ri të LSI-së, shkruan gazeta Shekulli.
“Do të çlirojë energji më të mëdha brenda LSI-së sepse është një angazhim për ta çuar këtë parti në një stad më të ri përmes kësaj pjesëmarrje, kësaj vote, përmes kësaj atmosfere konkurrence me qëllim të përbashkët se si LSI të jetë në lartësinë e duhur, për të patur një vizion më të plotë për të ardhmen e vendit, por njëkohësisht edhe një organizim dhe funksionim shumë më të mirë cilësor dhe përfaqësues për të realizuar këtë vizion. Mendoj se gara është ajo që keni parë dhe do të shohim deri në fund të procesit. Besoj që të jetë një moment i ri i garave më të rëndësishme”, u shpreh dje Ilir Meta gjatë procesit të votimit.