Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta nis sot një vizitë zyrtare në Greqi me ftesë të Presidentit të Parlamentit të Greqisë, Nikolaos Voutsis.
Përveç homologut të tij grek, Meta do të pritet edhe nga Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, Ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Kotsias dhe Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos.
Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, Kryetari i Kuvendit Meta do të takohet edhe me përfaqësues të partive kryesore politike parlamentare si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Athinë, shkruan Top Channel.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë marrëdhënie që shkojnë përtej kontakteve politike që gëzojmë mes dy vendeve tona. Miqësia jonë bazohet në shekuj mirëkuptimi dhe shkëmbimesh mes dy popujve tanë që kanë kaq shumë të përbashkëta. Besoj se vizita jonë në Athinë do t’i shërbejë intensifikimit konkret të bashkëpunimit ndërparlamentar i cili është i rëndësishëm për të gjithë bashkëpunimin tonë politik dhe ekonomik, dhe që ne dëshirojmë t’a avancojmë me vullnet të plotë në çdo nivel në të ardhmen”, u shpreh Meta përpara nisjes nga Tirana.