Lajmet e fundit

Opinionisti Ilir Ibrahimi ka thënë se largimi i Ramush Haradinajt nga pozita e kryetarit të AAK-së do të ketë pasoja jo të mira tek ky subjekt politik.
"Unë mendoj se Ramush Haradinaj me deklaratat e tij që është duke bërë tani para zgjedhjeve është duke e përdorur një strategji që është duke i bërë dëm partisë. Kjo parti është shumë e varur nga lideri i saj dhe nëse ai në fillim të zgjedhjeve thotë se do të largohet nga partia e tij, kjo do ta dëmtojë atë subjekt"
"Për çmimin që do të pësojë AAK-ja nga largimi i Haradinajt, duhet t'i bëjë kalkulimet vet, nëse janë të gatshëm për këtë, ky është vendimi i tyre. Nëse AAK-në nuk e udhëheq Haradinaj, ajo është e dëmtuar. Pa figurën e tij, ky subjekt do të bie", ka thënë Ibrahimi.
Haradinaj në Rubikon me Adriatik Kelmendin, këtë të premte ka thënë se kur ai të largohet nga pozita e kryetarit në AAK vendin e tij do ta zë Ardian Gjini, njofton Klan Kosova.
Ibrahimi në Edicionin e Analizës ka folur edhe për vendimin e sotëm të KQZ-së, që të telefonojë të gjithë ata që aplikojnë jashtë vendit për votim në zgjedhjet e 14 shkurtit, e ata që nuk lajmërohen në telefon, humbin të drejtën e votës.
"Nuk duhet të ngutemi dhe të japim deklarata të ndryshme, duhet t'i japim hapësirë KQZ-së që të jep shpjegime dhe më tej për këtë aspekt. Unë nuk mendoj se ky vendim është politik, unë mendoj kjo është më shumë teknike se sa politike që thuhet", ka thënë Ibrahimi.