Lajmet e fundit

Opinionisti Ilir Ibrahimi ka thënë se "Ballkani i Hapur" nuk është kundërshtuar nga ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Ibrahimi tha, në emisionin Rubikon në Klan Kosova, se ka pasur deklarime se kjo nismë po kundërshtohet edhe nga Shtetet e Bashkuara, por deklarimet kanë qenë mbështetëse.
"Çështja e Ballkanit të Hapur është prezantuar gabimisht që nga fillimi. Është thënë që kundërshtohet nga Merkel dhe Bashkimi Evropian që nuk është e saktë. Merkel në Tiranë nuk e ka kundërshtuar Ballkanin e Hapur. Ju ma gjeni një fjali të qartë që thotë "unë e kundërshtoj Ballkanin e Hapur".
"Është thënë që nuk përkrahet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kemi deklarata të vazhdueshme, të cilat dalin në përkrahje".
Ai theksoi se edhe çështja e shkëmbimit të territoreve është prezantuar gabimisht.
"Ajo ide sulmohet, shkatërrohet dhe hiqet nga tavolina. Të njëjtën gjë e kemi pasur edhe me shkëmbimin e territoreve. Dhe nëse flet me politikanët, jo në një studio televizive, por diku tjetër, do ta mirëprisnin duarhapur një ide të tillë kur ne jemi para një presioni të madh për Asociacionin dhe gjërat e tjera".