Lajmet e fundit

Pulmologu llapjan Ibrahim Hoti është në gjendje të rënduar shëndetësore pas ndalimit që iu bë një natë më parë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, si pasojë e një incidenti të filmuar, ku Hoti shihet duke refuzuar që pas orarit të punës t'i ofrojë ndihmë një të moshuarit.
Pas pesë orëve të trajtimit që morri në Emergjencën e Podujevës, mjeku i dyshuar u dërgua për në Klinikën Emergjente në QKUK për shkak të gjendjes së rënduar.
Megjithatë kolegët qysh në orët e paradites reaguan për arrestimin e kolegut të tyre ku kërkuan edhe shkarkimin e drejtorit të shëndetësisë. Driton Veliut, dhe prokurorit të rastit.
Teksa për protestën e mbajtur kreu i sindikatës për shëndetësi Shaqir Maliqi u gjobit me 250 euro nga inspektorati dhe policia, derisa paralajmëruan edhe bojkotimin e punës në QKMF, nëse nuk ndodh lirimi i mjekut.
I pari i komunës së Podujevës Shpejtimi Bulliqi beson se i gjithë ky incident ka ardhur për shkak të mbingarkesës së punës që ka pasur Hoti, si i vetëm pulmolog në gjithë këtë situatë pandemie, ku sipas kolegëve, Hoti brenda ditës ka ekzaminuar rreth 80 pacientë.
Në fakt, qytetarët të cilët janë edhe pacientë të Hotit, kanë fjalët më të mira për të.
Megjithëkëtë, kryetari i shoqatës së pacientëve Besim Kodra kritikon sjelljen e mjekut, ani se arrestimin e Hotit nuk e cilëson si veprim të duhur.
Deri në lirimin apo kthimin e Hotit në punë, QKMF e Podujevës ka mbetur pa një specialist të mushkërive.