Lajmet e fundit

Ministri i Punëve të Brendshëm në largim, Skender Hyseni, në lidhje me premtimin e të parit të AAK-së, Ramush Haradinaj, se çështjen e demarkacionit do ta zgjidhe për tre muaj, ka thënë që është një fantastikë shkencore.
Tutje ai ka thënë që çështja e demarkacionit do të jetë ndër prioritetet e qeverisjes së ardhshme në krye me Avdullah Hotin.
“Sa i përket zgjidhjes së lëmshit rreth demarkacionit me Malin e Zi, do të jetë prioritet mbi prioritete i qeverise së ardhshme. Sa i përket premtimit të Ramush Haradinaj, se për tre muaj do të zgjidhet çështja e demarkacionit, kjo tingëllon si fantastikë shkencore” ka thënë Hyseni në një intervistë në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës.
E me qeverisjen e LDK-AKR-Alternativa, Hyseni ka thënë që do të vazhdoj trendi i qëndrueshëm ekonomik, ai i reformave fiskale dhe forcimi i sektorit privat.
“Pikërisht ky vizion që Avdullah Hoti do ta çoj tutje do ta rikthej shpresën. Do të ketë vende të punës më shumë e do të ketë liberalizim të vizave” ka thënë Skender Hyseni, njofton Klan Kosova.