Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se ekstremizmi fetar në Kosovë është rrezik i madh për vendin, njofton Klan Kosova.
Ai këto komente i bëri në vizitën e tij në tri komuna – Obiliq, Fushë Kosovë dhe Shtime.
“Kosova shquhet për harmoni ndër-fetare dhe çfarëdo përpjeke për mos tolerancë është e papranueshme”, tha ministri Hyseni.
Ministri siguroi kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashin, se të gjitha kërkesat e parashtruara në takim lidhur me fushën e sigurisë do të shqyrtohen me hollësi.
Në vizitën në Fushë Kosovë u raportua për rënie të shkallës së krimit në përgjithësi, duke theksuar se për vitin 2015 nuk është raportuar në polici asnjë vrasje.
Pas takimeve në Obiliq dhe Fushë Kosovë, vizita e ministrit Skender Hyseni ka vazhduar për në komunën e Shtimes, ku takoi nënkryetarin e komunës së Shtimes, Fatmir Rashitin dhe Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.
Edhe në Shtime, ministri Hyseni vlerësoi aktivitetet përmbajtjesore dhe sistematike të këtij Këshilli që ka një rëndësi të dorës së parë në atë që e quajmë ruajtje dhe kultivim të harmonisë fetare dhe mirëkuptim ndëretnik.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.