Lajmet e fundit

Kosova është fuqimisht e përkushtuar të përballet dhe të luftojë krimin ndërkufitar.
Kështu tha ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, në Konventën e Bashkëpunimit Policor në Evropën Jug-Lindore, në nivel të ministrave të brendshëm që po mbahet në Vjenë.
Hyseni me këtë rast i njoftoi të pranishmit se Kosova tashmë ka filluar procedurat për aderim në këtë Konventë, me të drejta dhe obligime të plota.
Kjo konventë bashkërendon veprimet për përmbushjen e interesave të përbashkëta të sigurisë; luftimin me efikasitet kërcënimeve ndërkufitare ndaj rendit dhe sigurisë publike, si dhe krimin ndërkombëtar, duke hyrë në partneritet për sigurinë; rritjen dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit policor; mbështetjen reciproke në çështjet policore në Evropën Jug-Lindore, etj.
Hyseni ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të Austrisë, Volfgang Sobotka, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin bilateral dhe përkrahjen në institucione ndërkombëtare, transmeton Klan Kosova.
Sobotka i ka ofruar ministrit Hyseni përkrahjen e plotë të vendit të tij, për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, si dhe për liberalizimin e vizave.