Lajmet e fundit

Disa hulumtime të opinionit që janë realizuar këtyre ditëve në Greqi tregojnë se deri në ditën e fundit nuk do të mund të parashikohet verdikti i popullit grek, transmeton Klan Kosova.
Hulumtimi i opinionit publik i realizuar me porosi të gazetës ditore Avgi, e afërt me qeverinë greke, tregon se në referendumin që do të mbahet të dielën, më 5 korrik, një përparësi të vogël me 0.5 për qind do ta kenë kundërshtarët e propozimit të kreditorëve ndërkombëtarë për shpëtimin financiar të Greqisë.
Sipas këtij hulumtimi, 43 për qind e grekëve planifikojnë të votojnë “jo”, kurse 42.5 për qind “po”, ndërsa 9 për qind janë të pavendosur, transmeton Klan Kosova.
Mirëpo, një hulumtim i revistës “To Etnos” ka treguar se numri i atyre që do të votojnë “po” është për 1 për qind më i lartë se i atyre që do të votojnë “jo”, kurse 75 për qind dëshirojnë që Greqia të mbetet në Eurozonë, në krahasim me 15 për qind që janë për përfshirjen e sërishme të valutës greke, drahmës.
Edhe një hulumtim i Institutit Athinas për Hulumtim të Opinionit, ALCO, ka treguar se ata që do të thonë “po”, 44.8 për qind, janë në përparësi ndaj atyre që do të thonë “jo”, 43.4, kurse 11.8 për qind janë të pavendosur.