Lajmet e fundit

Zëdhënësja në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi, në një përgjigje për Klankosova.tv, ka thënë që gjithsej janë 23 vetura të regjistruara në regjione të ndryshme, të cilat kanë konvertuar targat ilegale në targa të Republikës së Kosovës.
"Javën e fundit është rritur interesimi i qytetarëve për të konvertuar targat duke i’u përgjigjur pozitivisht fushatës informuese. Të gjitha 34 qendrat komunale të Regjistrimit të Automjeteve janë në dispozicion për zhvillim të këtij procesi andaj ftojmë qytetarët, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA" që të vazhdojnë t'i regjistrojnë veturat e tyre, me mundësi të përfitimit nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS deri me datë 31 mars 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit, në cilëndo qendër të regjistrimit", ka thënë ajo.
Kujtojmë se bazuar në vendimin e fundit të ekzekutivit nga 21 nëntori deri me 21 janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale do të shqiptohet gjobë në lartësi prej 150 euro. Ndërkaq, nga 21 janari i vitit të ardhshëm, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Kosovës duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara. “Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë. Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës”, është thënë më tej në përgjigjen e MPB-së për Klankosova.tv. 14:00 - Masat e reja për targat, sa do të jetë vlera e gjobës për vetura pa RKS? Edhe disa orë kanë mbetur deri në hyrjen në fuqi të masave të reja për targat, të propozuara të premten nga Qeveria e Kosovës. Bëhet fjalë për vendimin e ri të qeverisë për konvertimin e targave ilegale në ato RKS i cili është paraparë të zbatohet shkallë-shkallë për gjashtë muaj, njofton Klankosova.tv. Sipas propozimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sanksione do ketë për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe siç parashihet me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës. Masat e reja për targat hyjnë në fuqi nga data 1 nëntor, kurse me qëndrimin e ri qeveritar, deri më datë 21 të këtij muaji do të vlejë vetëm masa e qortimit, ndërkaq nga 21 nëntori e deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese. Por, sa do të jetë shuma me të cilën do të gjobiten pronarët që kanë ende vetura me targat serbe në Kosovë? Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se serbët që nuk do të konvertojnë targat ilegale serbe në RKS do të gjobiten me 150 euro, pas hyrjes në fuqi të masave të reja. “Me vendimin e ri, nga data 1 Nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS. Nga data 21 Nëntor deri me datë 21 Janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro”, thuhet në njoftimin e MPB-së. Këtë e ka bërë të ditur edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi kur foli përmes videolidhjes, në Konferencën e Sigurisë në Beograd që u mbajt javën e kaluar. “Nga e marta [1 nëntor] deri më 21 nëntor, qytetarët që kanë targa të paligjshme do të marrin paralajmërim, më pas policia do të duhet të shkruajë gjoba, sipas ligjit. Me sa di unë gjobat do të jenë 150 euro dhe qytetarët do të marrin udhëzime si të ndërrohen targat ilegale. Kjo do të zgjasë deri më 21 janar, kur do t’u jepen targat e përkohshme”, tha Bislimi. Bislimi mori pjesë virtualisht në këtë konferencë, ku ishte paraparë të merre pjesë fizikisht por u detyrua të kthehet prapa disa kilometra në afërsi të Beogradi pasi autoritetet serbe nuk i ofruan siguri. 13:50 - Para hyrjes në fuqi të vendimit të ri, MPB-ja del me sqarime për targat Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë disa sqarime për targat, pak orë para hyrjes në fuqi të vendimit të ri. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim me të cilin ka vendosur që procesi i regjistrimit të mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023. “Në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve do të vazhdojë regjistrimi i mjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022. Qeveria e Republikës së Kosovës, me datë 28.10.2022 ka marrë Vendimin Nr.05/103 me të cilin ka vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023”, thuhet në njoftim. Ata kanë treguar lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS deri me datë 31 mars të vitit 2023, përcjell Klankosova.tv. “Të nderuar qytetarë, ju do të keni mundësi të përfitoni nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS deri me datë 31 mars 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që kanë. Me vendimin e ri, nga data 1 Nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”, thuhet në njoftim. MPB-ja ka bërë të ditur se gjoba për mospërfillje të masave do të jetë 150 euro. “Nga data 21 Nëntor deri me datë 21 Janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.Nga data 21 Janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara. Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë”, thuhet në komunikatën e MPB-së. Kjo ministri thotë se ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtetin tonë dhe rritjen e sigurisë në trafik. “Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës. Duam të sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtetin tonë, rritjen e sigurisë në trafik dhe nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA”, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe bashkërisht të përfundojmë me sukses këtë proces”, thuhet tutje në komunikatë. 12:00 - Kaq orë na ndajnë nga masat e reja për targat, qeveria s’e përmend vendimin si mburrje Nga tash, kanë mbetur edhe 12 orë, deri në hyrjen në fuqi të masave të reja të Qeverisë për targat, pra për konvertimin e tyre nga ilegale në RKS. Sipas vendimit të ekzekutivit, sanksione por jo të ashpra, do ketë për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe, njofton Klankosova.tv. Masat e reja për targat hyjnë në fuqi nga data 1 nëntor, kurse me qëndrimin e ri qeveritar, deri më datë 21 të këtij muaji do të vlejë vetëm masa e qortimit. Kurti ka thënë që pas datës 21 prill nuk mund të ketë targa të reja në Kosovë, përveç atyre RKS. Por, qeveria e Kosovës kur përmend pesë ngjarjet që e karakterizuan javën e kaluar, nuk e thekson edhe çështjen e vendimit për targat. Kosova u rendit e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit kurse e dyta në botë për nga përmirësimi i arritur brenda vitit 2022, sipas World Justice Project, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, por nuk e përmend si arritje çështjen e konvertimit të targave ilegale serbe, në ato RKS. Kurti para disa ditësh i ftoi edhe kryetarët e komunave veriore në takim, që të flasin edhe për targat, përveç për energjinë. Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se në veri të Mitrovicës vazhdimisht shkelet ligji. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti që e mbajtën për media, ai ka përmendur rastet e qytetarëve serbë të Kosovës të cilët kanë vendosur që t’i kthejnë targat e veturave të tyre në RKS, ku të njëjtit pastaj janë kërcënuar ose sulmuar. Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me ambasadorët e vendeve të Kuintit në lidhje me vendimin e ri të qeverisë për targat, tha se se pas prezantimit të qëndrimit të Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat, ambasadorët patën pyetje dhe pas kësaj, sipas Kurtit, ata thanë se duhet të konsultohen me kryeqytetet e tyre për ta dhënë mendimin lidhur me këtë çështje. Por si u prit nga ndërkombëtarët vendimi shkallëzues për targat në veri? Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se SHBA-ja është e zhgënjyer dhe shqetësuar që Qeveria e Kosovës refuzoi kërkesat dhe rekomandimet ndërkombëtare. Një reagim i ngjashëm erdhi nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësja për punët e Jashtme dhe Sigurinë Nabila Massrali, deklaroi se “është zhgënjyese” që nuk janë përfillur këshillat e “partnerëve më të afërt të Kosovës” rreth kësaj çështjeje. Ajo tha se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative. Edhe opozita reagoi për vendimin e Kurtit për targat Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me vendimin qeveritar për targat ilegale serbe. Ajo u shpreh se Kosova nuk i takon vetëm Albin Kurtit, por se ‘’Kosova është shtëpia jonë e përbashkët’’. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka thënë se është tejet brengosës fakti që qeveria amerikane është shprehur e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me vendimin për targa. Abdixhiku tha se në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, Qeveria Kurti duhet të trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë siç janë ShBA-ja dhe BE-ja. Për këtë vendim të kryeministrit Kurti, kritika kishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se ai është vendim shkurtpamës e që mund të sjellë pasoja. Por, çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat? Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes, e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet. Ujdia e firmosur më 2 korrik të atij viti nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai serb Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Catherine Ashton si përfaqësuese e BE-së, kishte sjellë dokumentin për hyrje/dalje. “Secila palë mund të zbatojë një sistem, ku letërnjoftimet do të shoqërohen nga dokumente me shkrim “hyrje-dalje” për personat nga pala tjetër të cilët dëshirojnë të kalojnë tranzit në një shtet të tretë”, thuhej në pikën 3 të kësaj marrëveshje. Qytetarët e Kosovës sa herë që kanë kaluar në Serbi janë pajisur me dokumentin shtesë që përmendet në këtë marrëveshje. Por, njëjtë nuk ka ndodhur edhe me serbët që janë futur në territorin e Kosovës. Kur Qeveria Kurti njoftoi se nga 1 gushti do të nisë së zbatuari këtë pikë si masë reciprociteti vendimi u kundërshtua nga Beogradi zyrtar çka shkaktoi trazira në veri të vendit ku serbët lokalë vendosën barrikada – siç bëjnë rëndom për vendimet e institucioneve kosovare që nuk iu shkojnë në favor.